Nisja e procesit gjyqësor për kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës | WWF

Nisja e procesit gjyqësor për kundërshtimin e ndërtimit të hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës

Posted on 17 May 2017   |  
BRT on the Valbona River
© Jan Pirnat
Tirana - 27 banorë të fshatrave Rrogam, Valbonë, Dragobi dhe Çerem, Bashkia Tropojë, dhe Shoqata TOKA: Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, të përfaqësuar nga zyra e avokatisë KALO & ASSOCIATES, depozituan në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, kërkesë-padinë për kundërshtimin e projektit të ndërtimit të 2 hidrocentraleve Dragobia dhe Cerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga shoqëria koncesionare Dragobia Energy SHPK. Paditësit kërkojnë konstatimin nga Gjykata të pavlefshmërisë absolute të kontratës së koncesionit të këtij projekti, si dhe të lejeve të lëshuara në bazë të saj, si leja mjedisore, leja e ndërtimit dhe leja e përdorimit të rezervave ujore.
 
Ky hap i ankimit gjyqësor vjen si rezultat i një sërë shkeljesh të rënda materiale dhe procedurale nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe Industrisë, Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Këshillit Kombëtar të Territorit, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Këshillit të Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë. Në kundërshtim të hapur dhe flagrant me Ligjin për Zonat e Mbrojtura, institucionet e mësipërme kanë miratuar një projekt ndërtimor madhor në një zonë të mbrojtur mjedisore dhe turistike, konkretisht në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës. Gjithashtu, ata e kanë miratuar këtë projekt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një sërë kërkesash procedurale, veçanërisht ato të konsultimit paraprak me publikun. Këto kërkesa burojnë jo vetëm nga Kushtetuta dhe ligjet shqiptare por edhe nga Konventa e Aarhusit e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2000.
 
Banorët e zonës dhe shoqata TOKA, mbështetur nga disa shoqata të tjera - kombëtare dhe ndërkombëtare - kanë bërë përpjekje administrative të panumërta pranë institucioneve shtetërore për ta ndaluar këtë projekt të padëshiruar dhe me dëme të rënda dhe të pariparueshme në mjedisin natyror dhe jetën sociale të tyre në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës. Ata tashmë i drejtohen gjykatës shqiptare me shpresën dhe besimin e një gjykimi të drejtë për ta dhe për Luginën e Valbonës, për të tashmen dhe të ardhmen e këtij Parku Kombëtar, të cilat i takojnë të gjithë qytetarëve shqiptarë.
 
Catherine Bohne Selimaj, Kryetare e shoqatës TOKA u shpreh se: “Gjatë gjashtë muajve të kaluar, kemi përjetuar zhurma gjatë gjithë ditës, dhe aktualisht edhe gjatë natës, që vijnë nga shkatërrimet e shkaktuara nga buldozerët dhe përdorimi i dinamitëve në Luginën e Valbonës, e cila është një nga zonat që njihet për biodiversitetin më të lartë të Europës Juglindore, por edhe shtëpia jonë. E vetmja që hesht është Tirana. Nuk mund të presim më për të ndaluar shkatërrimin e trashëgimisë tonë natyrore dhe të ardhmes tonë ekonomike.”
BRT on the Valbona River
© Jan Pirnat Enlarge
Nacionalni park Valbona, Albanija
© WWF Enlarge
Poster for the protest concert
© Valbona Enlarge
Protest concert in Valbona National Park
© Jessica Tatam Enlarge
Don't touch my Valbona
© Valbona Enlarge

Comments

blog comments powered by Disqus